Analisti, Ylli Hoxha ka thënë se reagimi i zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ku ka deklaruar se vendi ynë mund ketë fatin prapë si të 24 shatorit, nuk është i vetmi që po flet për një ‘luftë’ të mundshme në vend.
Hoxha kështu u shpreh në Televizionin Dukagjini duke shtuar se ‘ është e vështirë të bëhet një analizë reale e sigurisë’ por që duhet të ketë një përgjigje adekuate.
“Nëse e shtimë parametrin e kritikës armiqësore politike, nëse e merr pjesën e skajshme të retorikës së komunikimit publik. E ki të vështirë me e bë analizën reale të sigurisë. Nuk është i vetmi Besnik Bislimi i cili flet për këtë çështje, janë duke folur një mori njerëzish, institucionesh, përfaqësues ndërkombëtarë të cilët ngrenë alarmin për këtë situatë. Besoj që duhet të ketë një përgjigje adekuate, serioze për të analizuar pavarësisht antagonizmave politik që janë shtuar si pjesë e jetës sonë”, tha Hoxha.
Në lidhje me deklaratën e Bislimit, analisti Astrit Gashi ka thënë se nuk e beson që mund të ketë luftë nga Serbia në Kosovë, por mund të ketë tendenca për të krijuar trazira.
“Është deklaratë në vazhdimësi që bëhet nga Qeveria e Kosovës kur japin intervista në media të huaja, ka njëfarë taktike të suksesshme apo të pasuksesshme qeveritare që në media të huaja ta ngrisin rrezikun e një lufte që mund ta bëjë Serbia në Kosovë, në media të huaja është strategji e PR të Qeverisë së Kosovës,” tha Gashi.
E Serbia sipas Gashit vazhdon që të trajtohet njëjtë.
“Nuk është që kemi pa efekt, Serbia po vazhdon të trajtohet njëjtë si para 3 viteve si sot nuk është deklarata e parë, por para të gjithash është taktikë e PR të qeverisë së Kosovës që me portretizua qeverinë natyrisht jo pa të drejtë si një forcë që mund ta krijojë një luftë në Ballkan dhe një sulm ndaj Kosovës.”