Kancelari gjerman, Olaf Scholz, në bisedën telefonike që e ka zhvilluar sot me kryeministrin Albin Kurti, ka kërkuar që të ketë hapa konkretë nga Kosova, për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.
Për të njëjtën bisedë telefonike ka shkruar edhe Kurti, i cili me anë të një postimi në platformën X ka thënë se shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën.
“Në një telefonatë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE në përputhje me rekomandimet e PACE. Gjithashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, shkroi tutje Kurti. /IndeksOnline/