Reagime të shumta ka pasur sot gjithandej pas lajmit të tmerrshëm të vrasjes së një gruaje në Pejë.
Nga rrjeti i Grave të Kosovës kërkohet që të gjitha institucionet t’i kanë rolet dhe detyrat e tyre sipas legjislacionit dhe sipas tyre Qeveria duhet të sigurohet që të gjitha përgjegjësitë që i ka ajo pra në bazë të strategjisë kombëtare për parandalimin e dhunës me baza gjinore të jenë të harmonizuara me kërkesat e konventës të Stambollit.
Adelina Berisha, menaxhere e programit kundër dhunës me baza gjinore në organizatën Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se të gjitha vajzat dhe gratë e Kosovës jemi duke u ndjerë tejet të shqetësuara tejet të pasigurta për jetën tonë në këtë shoqëri ku brenda më pak se pesë ditëve na u vranë dy gra nga bashkëshortët e tyre.
“Besoj se sot ne jo veç si Rrjet i Grave por të gjitha vajzat dhe gratë e Kosovës jemi duke u ndjerë tejet të shqetësuara tejet të pasigurta për jetën tonë në këtë shoqëri ku brenda më pak se pesë ditëve na u vranë dy gra nga bashkëshortët e tyre në njërin rast ish bashkëshorti në tjetrin rast bashkëshorti pra personat të cilët deri në ato momente është dashur të jenë njerëzit më të afërt të këtyre grave përfunduan si vrasës të këtyre grave dhe kjo na shqetëson shumë dhe na bën me reflektu që realiteti për gratë në Kosovë është mjaft i hidhur dhe që secila prej nesh në baza ditore mund të jemi të rrezikuara qoftë nga anëtarët e familjes qoftë nga burrat e tjerë. Marrë parasysh që dhuna me baza gjinore është kaq e shprehur, dhuna në familje po e dimë brenda relacioneve familjare mirëpo ne po shohim çdo ditë edhe numrin e madh të dhunimeve të ngacmimeve seksuale e të sulmeve seksuale ndaj vajzave të mitura ndaj vajzave në moshë të rritura ndaj grave, pra secila kategori e vajzave dhe grave pa marrë parasysh cilës grup moshë jemi në ndonjë formë të rrezikuara në përditshmërinë tonë në Kosovë”, ka thënë Berisha.
Ajo ka theksuar se dorëheqja duhet të bëhet nga personat që kanë përgjegjësi dhe sipas saj nuk ka pasur reagim nga ndonjë institucion automatikisht dhe se do të duhet që dikush të marrë përgjegjësinë për dështim në ofrim të shërbimit ndaj viktimave.
“Dorëheqja duhet të bëhet tek personat që kanë përgjegjësi do të thotë në këtë rast besoj se nëse ka pas në Pejë persona përgjegjës për rastin, në qoftë se ne e kuptojmë se gruaja më parë iu ka adresuar institucioneve ka kërkuar mbështetje dhe nuk ka pasur reagim nga ndonjë institucion automatikisht do të duhet që dikush të marrë përgjegjësinë për dështim në ofrim të shërbimit ndaj asaj viktime. Në anën tjetër po ashtu edhe për rastin e Ferizajt pra rastin e së premtes ku na vdiq një grua nga ish bashkëshorti i saj edhe aty do duhej të bëhej një hetim për qendrën për punë sociale për punëtorët socialë që kanë qenë të involvuar në trajtimin e këtij rasti për shkak se këta ishin një çift që ishin të ndarë dhe kujdesin e fëmijëve e kishin të përcaktuar dmth. vizitën e fëmijëve e kishin të përcaktuar në qendrën për punë sociale që i bie se raportet mes tyre kanë qenë të acaruara. prandaj edhe është dasht kujdesi i një institucioni në mënyrë që të evitohet ndonjë konflikt e që Fatkeqësisht po duket se dikush ka dështuar ta evitojë konfliktin dhe ka ndodhur një vrasje në qendrën për punë sociale”, ka thënë ajo.
Berisha ka treguar se janë në konsultim me organizata tjera për të parë se si do të veprojnë, pra sipas saj po mendojnë në organizimin e protestave.
“Ne si rrjet i grave në përditshmërinë tonë e kemi luftimin dhe parandalimin e dhunës në baza gjinore. Ne në baza ditore monitorojmë raste të dhunës në gjykata për të parë se si po trajtohen nga gjyqësori. Ne ofrojmë një këshillim ligjor për çdo viktimë të dhunës në bazë gjinore që ka nevojë të këshillohet dhe të përfaqësohet në institucione. Këto janë disa prej shërbimeve të cilat i ofrojmë ndërsa organizatat tjera anëtarë të rrjetit siç janë strehimoret e ofrojnë në baza ditore strehimin e viktimave me bazë gjinore reagimi jonë është çdo ditë përmes punës sonë aktivizmit tonë në këto raste kur po na vijnë tragjedi ne i mbështesim edhe reagimet e tjera të cilat mund të vijnë nga organizatat tjera të grave apo edhe nga shoqëria në përgjithësi mirëpo ne në përditshmërinë tonë e kemi luftimin e dhunës në baza gjinore dhe këtë e bëjmë përmes punës tonë takimeve, këshillimit ofrimit të shërbimeve. Nëse jeni duke më pyetur për protestë apo diçka të ngjashme jemi në konsultim me organizata tjera për të parë se si do të veprojmë”, ka thënë Berisha.
Aktivistja Berisha ka thënë se të gjitha institucionet i kanë rolet dhe detyrat e tyre sipas legjislacionit dhe se qeveria duhet të sigurohet që yt gjitha aktivitete të zbatohen përmes buxhetimit përmes bashkëpunimit me institucionet tjera relevante.
“Të gjitha institucionet i kanë rolet dhe detyrat e tyre sipas legjislacionit. Qeveria duhet të sigurohet që të gjitha përgjegjësitë që i ka ajo pra në bazë të strategjisë kombëtare për parandalimin e dhunës me baza gjinore, dhunës ndaj grave dhunës në familje të sigurohet që të gjitha këto aktivitete po i zbaton përmes buxhetimit, përmes bashkëpunimit me institucionet tjera relevante të cilat mund ta ndihmojnë qeverinë në këtë kontekst pra duhet të sigurohet që i gjithë legjislacioni dytësor është i harmonizuar edhe me kërkesat e konventës të Stambollit, me kërkesat e ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje dhuna ndaj grave, dhuna me bazë gjinore i cili është tash i ri dhe të sigurohet që ky ligj po gjen zbatim edhe përmes buxhetimit të tij sepse ne nuk mund të kemi zbatim nëse nuk ndajmë edhe mjete financiare që e mbështesin zbatimin e strategjisë”, është shprehur Berisha.