Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Osmani kujton masakrën e Poklekut: Kujtesë që nuk shuhet, plagë që nuk mbyllet pa drejtësi

Osmani kujton masakrën e Poklekut: Kujtesë që nuk shuhet, plagë që nuk mbyllet pa drejtësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 26 vjetorin e masakrës në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.

Sipas saj, Masakra e Poklekut është kujtesë që nuk shuhet e plagë që nuk mbyllet pa drejtësi

“Në mesin e 54 të vrarëve në Poklek, 24 ishin fëmijë nga mosha gjashtë muaj e deri në 17 vjeç. Ata u vranë mizorisht e pastaj u dogjën nga forca të regjimit gjenocidal serb, synim i të cilëve ishte shfarosja. Në mesin e viktimave, ishte edhe Liria, një foshnjë vetëm 6 muajshe, që mbante emrin e një ideali që ende nuk e kishte jetuar. Ajo nuk e gëzoi kurrë lirinë. Por emri i saj mbetet amanet për secilin prej nesh. Të tillë mbeten edhe emrat e 23 të vrarëve në Çikatovë të Vjetër. Sot nuk mjafton t`i kujtojmë. E kemi obligim të kërkojmë drejtësi. Jo vetëm për Lirinë, por për çdo fëmijë të vrarë, për çdo familje të shuar. Drejtësia nuk është hakmarrje. Është premtimi më minimal që ia kemi borxh viktimave. Është përgjegjësia jonë që ky krim të mos mbulohet nga pluhuri i harresës apo nga heshtja. Të mos ndalemi derisa drejtësia të triumfojë. Sepse pa të, pa të vërtetën e thënë dhe të njohur, pa përgjegjësi për krimet, nuk ka paqe të qëndrueshme”, thuhet tutje.