Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Tensionet e mundshme te kryeministrit Kurti me shefen e re të politikës së Jashtme të BE-së Kaja Kallas

Tensionet e mundshme te kryeministrit Kurti me shefen e re të politikës së Jashtme të BE-së Kaja Kallas

Shkruan: Afrim Kasolli

Kryeministri Kurti, dje në një interviste për mediumin KosovaPress, ka deklaruar se nuk do të lejojë “që Asociacioni të vendoset në qendër të raporteve Kosovë – Serbi. Ai dokument [draft-statuti i Asociacionit] ka qenë i propozuar nga ndërmjetësit, i panënshkruar, dhe si i tillë ai dokument nuk ka mundur të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj besoj që duhet të përqendrohemi te marrëveshja bazike”. Ndërkohë, këtu duhet kujtuar se pikërisht refuzimi i kryeministrit Kurti për ta dërguar këtë dokument në Gjykatën Kushtetuese ndikoi që Kosova të dështoi në çastet e fundit për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, përkundër rekomandimit pozitiv të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate. Sepse siç është e ditur nga të gjithë ne, përfaqësuesit kryesorë të shteteve të QUINT-it, e imponuan këtë kriter si parakusht për anëtarësim final në favor të Kosovës dhe jo Serbia. Kurse ish-Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, pak para largimit nga detyra ka pohuar se sikur Kosova të bashkëpunonte më ngushtë me SHBA-të do ta tejkalonte sfidën e anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Për më shumë, tashmë Asociacioni nuk është vetëm në qendër të raporteve të Kosovës me Serbinë siç pretendon lideri i Vetëvendosjes. Por ai është në qendër të raporteve të se parës me Bashkimin Evropian. Dhe për një gjë të tillë është pajtuar vetë Kurti. Sepse në pikën pesë të Aneksit të Ohrit, thuhet pa ekuivoke, se “për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së”.

Në ndërkohë, në intervistën e sipër përmendur, kryeministri Kurti, duket se shpresën e vetme për shtegdalje nga kriza ku është katandisur procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Marrëveshjes bazë të Brukselit dhe Aneksit të zbatimit të Ohrit, e ka te Shefja e re e politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimi Evropian Kaja Kallas. I pari i Qeverisë së Kosovës ndër të tjera ka pohuar, se “duhet ta presim tash përfaqësuesen e re të lartë, Kaja Kallas dhe iniciativën e saj për rrugën përpara. Besoj që topi është te ndërmjetësi në këtë kuptim, sepse nuk mund të presim që Beogradi përnjëherë do të bëhet aktor konstruktiv dhe do të thotë po e nënshkruaj marrëveshjen edhe le ta zbatojmë me një plan sekuencimi. Destruktiviteti i tyre ka ardhur duke u rritur, andaj ne presim nga ndërmjetësit që ta ndërpresin këtë destruktivitet të palës tjetër”, thotë ai”.

Sidoqoftë, ky konstatim mund të merret si një kumt paralajmërues se nëse pas zgjedhjeve të 9 Shkurtit, Qeveria e Kosovës do të drejtohet nga i njëjti kryeministër, ka gjasa që përsëri të kemi raporte të tensionuara ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit, pikërisht për shkak të temës së dialogut. Fillimisht në Raportin e Progresit për vitin 2024, të hartuar nga Komisioni Evropian shkruan qartë se “Kosova pritet ta nisë procesin që shpie në krijimin e Asociacionit duke u bazuar në propozimin evropian ndaj palëve me 21 tetor të vitit 2023. Ndërkaq, Serbia pritet të fillojë përmbushjen e detyrimeve të saj nga Marrëveshja, paralelisht duke inicuar njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës” Pra derisa Kurti, pohon se topi tash është të ndërmjetësi evropian, në anën tjetër dokumentet e Brukselit e rekomandojnë të kundërtën.

Kështu, është iluzore të pritet që Kaja Kallas, do ta ndryshojë këtë renditje të kërkesave sipas asaj që e ka potencuar kryeministri Kurti. Sepse, e para, ky formulim reflekton konsensusin e të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe e dyta duke marrë parasysh dinamikat që mund ta presin Unionin pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë të presidentit amerikan Donald Trump.

Tashmë është bërë e qartë se me të marr detyrën fokusi primar i presidentit amerikan në Evropë do të jenë negociatat e paqes në mes Ukrainës dhe Rusisë. Dhe është e pritshme që edhe Kaja Kallas si një nuk do të mund të jetë indiferente sa i përket këtyre zhvillimeve. Madje, ishte vetë ajo, që para deputetëve të Parlamentit Evropian në Komisionin e Politikës së Jashtme, në seancën ku ajo duhet të konfirmohej në postin e ri, demonstroi një heshtje të theksuar ndaj dialogut Kosovë-Serbi, i cila realisht është nën kompetencat e plota të saj. Në këtë seancë, ajo më shumë u fokusua për luftën në Ukrainë, rrezikun nga Kina, por jo edhe për Ballkanin Perëndimor me theks të veçantë dialogun Kosovë-Serbi. Në këtë kontekst, në vend të rishikimit të rrugës që duhet të ndjekin palët, në të vërtetë mund të pritet më shumë trysni për ta zbatuar atë që BE e konsideron si obligim ligjor ndërkombëtar për të dy vendet.

Gjatë mandatit të Josep Borrellit dhe Mirosllav Lajcakut, disa herë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës i kanë akuzuar këta të fundit se e kanë braktisur rolin prej ndërmjetësuesit neutral dhe qëndrimin e Serbisë e kanë imponuar si qëndrim të BE-së. Për këtë arsyeje edhe shpeshherë janë shtuar pritjet se me ndërrimet që mund të ndodhin në strukturat drejtuese të Brukselit do krijohen rrethana të reja.

Mirëpo, në bazë të kushteve aktuale, duket sikur se do të përkeqësohen këto raporte, pavërisht ndryshimit të emrave të përveçëm. Shto edhe këtu faktin, se sipas të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për misione të posaçme në botë, Richard Grenell, tensione mund të priten edhe me administratën e re amerikane, nëse në krye të Qeverisë së Kosovës do te jetë Albin Kurti.

Shenja këto që paralajmërojnë një të ardhme të tendosur e të paqartë për Kosovën në vitet që shtrihen para nesh. /TV Arbëria