Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Së paku 12 të vrarë nga një shpërthim në Dagestan të Rusisë

Së paku 12 të vrarë nga një shpërthim në Dagestan të Rusisë

Së paku 12 njerëz, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e një shpërthimi dhe një zjarri pasues në një pikë karburanti në rajonin e Dagestanit në Rusi, njoftuan autoritetet ruse të shtunën.

Ministria e Emergjencave e Rusisë tha se 11 njerëz të tjerë janë lënduar.

Tetë nga të plagosurit u shtruan në spital, tha zëvendësministri rus i Shëndetësisë, Aleksei Kuznetsov, për mediat ruse. Zjarri u shua më vonë.

Shpërthimi ndodhi në një pikë karburanti në periferi të kryeqytetit rajonal, Makaçkala, afër fshatit Novi Kushet, tha Ministria e Emergjencave.

Makaçkala ndodhet rreth 1.600 kilometra në jug të Moskës.

Ministria tha se pika e karburantit është shkatërruar plotësisht.

“Pika e karburantit dhe mensa po digjen në një sipërfaqe prej 500 metrash katrorë. Dy makina dhe një kamion janë dëmtuar”, tha Ministria në Telegram.

Sipas furnizuesit lokal të energjisë, Dagenergo, objektet e energjisë në zonën e shpërthimit janë dëmtuar dhe furnizimi me energji është ndërprerë në zonat përreth.

Sipas shërbimeve të emergjencës, të cituara nga agjencitë e lajmeve ruse, është duke u bërë pastrimi i rrënojave në vendngjarje dhe mund të ketë njerëz të varrosur nën rrënoja.

Departamenti i Komitetit Hetimor të Dagestanit hapi një hetim për neglizhencë dhe mënyrën se si janë respektuar rregullat e sigurisë në pikën e karburantit.

Autoritetet shpallën 28 shtatorin ditë zie në kujtim të viktimave të shpërthimit, raportoi shërbimi për shtyp i Dagestanit.

Agjencia e lajmeve RIA Novosti, duke cituar prokurorinë e Dagestanit, tha se shpërthimi ndodhi rreth orës 17:30 lokale, më 27 shtator.

Kanali Telegram Shot raportoi se kishte dy shpërthime.

Në gusht të vitit të kaluar, një shpërthim i madh në një pikë karburanti vrau 35 persona dhe plagosi 113 të tjerë./REL/