Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Qeveri anti UÇK”/Veterani dhe invalidi i luftës: Qeveria Kurti, më e afërta me veteranët e luftës

“Qeveri anti UÇK”/Veterani dhe invalidi i luftës: Qeveria Kurti, më e afërta me veteranët e luftës

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Qeveria Kurti tash e një kohë kanë shkëputur bashkëpunimet. Një nga arsyet kryesore të acarimit të marrëdhënieve por edhe protestave të mbajtura nga OVL UÇK, ka qenë mosmiratimi i ligjit të ri për veteranët, i cili synonte të rregullonte dhe përmirësonte të drejtat dhe benefitet për ish-luftëtarët e UÇK-së.

Derisa OVL UÇK ka shprehur shqetësime se Qeveria Kurti nuk ka treguar mjaftueshëm nderim dhe vlerësim për sakrificat e luftëtarëve të UÇK-së.

E teksa javën e kaluar u mbajtë edhe Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prekaz, këta të fundit bojkotuan ftesën e Qeverisë për ceremonitë shtetërore.

Xhavit Jashari kryetar i Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve tha në TV Arbëria se “është problem bashkëpunimi me dikë që bënë përpjekje ta njollosë luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK’së”.

“Derisa të reflektojë kjo qeveri dhe ky kryeministër, ta çmojë rrugën plot sakrificë dhe ta nderojë vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mendoj se e kanë obligim edhe institucional edhe kushtetues. Përndryshe me neve e kanë problem të bashkëpunojnë, jo vetëm ky kryeministër, po kushdo që atakon, kushdo që shanë dhe bënë përpjekje ta njollosë luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK’së”, kishte thënë Jashari.

Madje ai ndër të tjerash tha se “në Qeverinë Kurti “ka njerëz anti-UÇK të cilët e kanë fyer luftën dhe kanë tentuar ta njollosin dhe kanë bashkëpunuar me Gjykatën Speciale ku sot padrejtësisht i kemi krerët e UÇK-së”.

Teksa në anën tjetër, ish luftëtari dhe vetarani i UCK’së, Frashër Oseku në një prononcim për TV Arbëria, tha se “Qeveria Kurti është qeveria më e afërt me veteranët e luftës”.

“Kudo sheh gjeneralë me Jasharët, ku ka më UÇK ?”, tha ai.

Tutje ai deklaroi se si invalid dhe veteran i luftës është i përfaqësuar denjësisht nga kjo qeveri.

“Si veteran e invalid jam i përfaqësuar denjësisht nga Qeveria Kurti. Kishim vetëm një gjeneral dhe sot kemi Jasharët”, deklaroi ai për TV Arbëria./E.Salihu