08:06 New York
Dark Light

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Nuk ekziston vend në botë me emrin “Kosova dhe Metohia” por Republika e Kosovës- Çka tha Gërvalla, shefja e UNMIK-ut e Gjuriq në OKB

Nuk ekziston vend në botë me emrin “Kosova dhe Metohia” por Republika e Kosovës- Çka tha Gërvalla, shefja e UNMIK-ut e Gjuriq në OKB

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla po e përfaqëson Kosovën në Këshillin e sigurimit të OKB-së.

Ajo i është kundërpërgjigjur përfaqësuesit serb për emërtimin e vendit, i cili sipas tyre quhet “Kosova dhe Metohia”.

Gërvalla tha se me këtë emër nuk ekziston asnjë vend në botë.

“Nuk ka vend në botë në këtë glob që quhet “Kosovë dhe Metohi”. Është Kosovë, Kosova apo Republika e Kosovës. Do të ishte e njëjta gjë që sa herë ta përmend unë Serbinë të fillojë ta quaj Kalevinë apo në ndonjë emër tjetër por nuk do ta bëjë këtë gjë”, tha Gërvalla.

Ajo vazhdoj fjalimin e saj duke thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e ka problemin me asociacionin, porse atë e shqetëson vetë ekzistenca e Kosovës.

Gërvalla duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se gjitha pretendimet e Serbisë kinse për shkelje të të drejtave të minoriteteve janë gënjeshtra të kulluara.

“Ta sqarojmë njëherë se nuk ka asnjë vend në botë, që quhet Kosovë e Metohi. Ka Kosovë, Kosova apo Republika e Kosovës…Të mos besohet asnjë nga gënjeshtrat se kinse qytetarët e Kosovës nuk kanë qasje në shëndetësi, arsim dhe llogari bankare. Realiteti është i qartë. Përfundimisht qytetarët po marrin frymë lirshëm dhe pa frikë nga bandat kriminale”, ka thënë Gërvalla.

Gjatë adresimit të saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ishte test për perëndimin, test për ato që pritet të vijnë.

“Sulmi i Serbisë më 24 shtator të vitit të kaluar është planifikuar si invazion ushtarak dhe aneksim i një vendi paqësor me mijëra trupa të NATO-s. Për ta bërë të qartë këtë, ky ishte sulmi i parë i aleancës së Putinit ndaj një vendi me prezencë të NATO-s, është test për perëndimin, test për ato që pritet të vijnë”, tha gjatë fjalës së saj shefja e diplomacisë kosovare.

Tutje tha ajo se Vuçiqi e Putini nuk janë dorëzuar. Ajo i ka quajtur si kryeministrin serb Millosh Vuçeviq, zëvendëskryeministrin Aleksandar Vulin, antiperëndimorë dhe prorusë.

“Prandaj na duhet zmbrapsja e tyre pikë së pari e pastaj dialogu. Vetëm me zmbrapsje të tillë mund të kemi paqe e siguri, sepse kur Vuçiqi e Gjuriqi e të tjerë në Serbi thonë dialog, nuk e kanë këtë në mendje. Nuk kanë ndonjë interesim në dialog, thjesht kanë interes të shkatërrojnë Republikën e pavarur të Kosovës dhe atë me forcë. Askush nuk mund të mashtrohet, kjo është dëshmuar tashmë dhe do ta provojnë prapë. Kështu, Kosova është falënderuese për NATO-n për ngritjen e numrit të trupave për ta zmbrapsur Serbinë nga agresioni i radhës. Ministri i mbrojtjes i Serbisë që përgatiti sulmin paramilitar për më shumë se një vit, mori ngritje në detyrë nga Vuçiqi, tani ai është kryeministër i ri i Serbisë. Presidentja e KE-së refuzoi ta takonte për shkak të lidhjeve të tij aktive me Rusinë”, shtoi Gërvalla.

Gërvalla ka tërhequr vërejtjen se “Vuçiqi po përgatitet pë më tepër”.

“Mos i besoni këta njerëz të rrezikshëm. Asnjë fjalë. Vuçiqi po përgatitet, është i gatshëm për më shumë. Ka murale gjigante nëpër Serbi që thonë se ushtria serbe do të kthehet në Kosovë. Murale të tilla në një vend të tillë autokratik, s’janë rastësi. Përditë e më shumë ekspertë paralajmërojnë se Serbia i ngjan Serbisë fashite të viteve ’90…Problemi i Vuçiqit s’ka të bëjë me Asociacionin, por me vetë ekzistencën tonë. Për të Asociacioni nuk është vegël për të lehtësuar jetën e qytetarëve, është opsion për ta copëtuar një vend të territorit tonë”, tha Gërvalla.

Ajo tha se duhet të flasin për rrezikun, e që disa sipas saj, kanë frikë ta përmendin, për luftën dhe si ta parandalojnë një luftë të ardhshme në Evropë.

“E nderuara presidente duhet të flasim për rrezikun që disa kanë frikë ta përmendin e duhet të flasim edhe për luftën, se si ta parandalojmë një luftë të ardhshme në Evropë, për të cilën disa thonë Putini mund ta ketë Ballkanin shënjestrën e ardhshme. Dora e zgjatur e Putinit, Vuçiqi vazhdon të mbrojë terroristët që udhëhoqën sulmin paramilitar të Serbisë kundër Republikës së Kosovës vitin e kaluar. Lideri i tyre, Radoiçiqi një prej njerëzve më brutal e më të pasur në Serbi, jo i pasur duke trashëguar nga prindërit e tij pasuri, por me anë të krimit, është angazhuar në zhvatje e vrasje të qytetarëve serb të Kosovës”, shtoi Gërvalla, derisa bëri të qartë kërkesën që ai të ekstradohet në Kosovë.

“Kosova kërkon ekstradimin e tij, ai është përgjegjës për vrasjen e zyrtarit tonë policor, heroit tonë kombëtar, toger, Afrim Bunjaku. Këtë Gjuriqi e di shumë mirë nga vitet e tij të shumta si dorë e djathtë e Vuçiqit në luftën kundër Kosovës gjatë viteve 2013-2020. Gjuriq dhe Radoiçiq vrasësi ishin aleat në shtypjen e qytetarëve serb të ndershëm që dëshironin vetëm jetë normale. Gjuriqi ishte kryesori kur Radoiçiqi u angazhua në vrasjen e politikanit më të shquar serb Oliver Ivanoviq që u vra para derës së tij. Dhe Gjuriqi takohej me të prapë, tash së voni duke pirë kafe në Beograd me të njëjtin kriminel e terrorist. E kjo tregon llojin e karaktereve me të cilët ballafaqohemi. Kush këtu është në rregull që të pihet kafe me një vrasës brutal”, tha Gërvalla derisa shpalosi edhe fotografinë e një takimi mes Gjuriqit e Radoiçiqit.

Para Gërvallës në Këshill të Sigurimit foli shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, e cila e paraqiti raportin gjashtëmujor. Ajo tha se situata në veri vazhdon të jetë e brishtë.

Ziadeh tha se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veri “reduktuan mundësinë e komuniteteve pakicë, mbi të gjitha serbëve, për të pasur qasje në nevojat elementare, përfshirë shëndetësi e arsim”.

Paralajmëroi edhe se për rrezikun që paraqet hapja e paralajmëruar e urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e veturave.

Ziadeh ka kërkuar po ashtu një hetim të plotë të sulmit terrorist në Banjskë më 23 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Ajo e ka quajtur atë si “të papranueshëm dhe një incident të rëndë sigurie”.

E ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka kërkuar veprim “të shpejtë nga Këshilli i Sigurimit”.

“Kërkoj veprimin tuaj të shpejtë dhe të vendoset”, tha Gjuriq.