Veliaj takohet me kampionët olimpikë: Krenarë për punën dhe mesazhin që po i japin rinisë shqiptare

Kreu i Tiranës, Erion Veliaj është takuar me kampionët...

Ambasadori serb në Tiranë: Qëndrimi ynë ndaj Kosovës është diametralisht i kundërt me atë ndaj Shqipërisë

Sllobodan Vukçeviq, ambasadori i Serbisë në Tiranë, ka thënë...
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Mijëra pacientë me kancer e fajësojnë pudrën e foshnjave për sëmundjen

Extra AL PVC

Kompania “Johnson & Johnson” është duke u përballur me avokatët që po e kundërshtojnë përpjekjen e tretë të saj për t’i zgjidhur dhjetëra mijëra padi përmes një manovre të diskutueshme falimentimi në gjykatë. Gratë që pretendojnë se produktet e kompanisë me talk, mineral i përdorur në produkte të kujdesit personal si kozmetika dhe pudra e fëmijëve, u kanë shkaktuar kancer janë të përfshira gjithashtu në këtë rast. Ato janë të detyruara të zgjedhin mes një marrëveshjeje që e konsiderojnë të papranueshme dhe procesit të gjatë gjyqësor

Eron Evans ka vdekur në vitin 2016 në moshën 41-vjeçare, duke lënë pas dy vajza. Nëna e saj, Darlene, për vdekjen e së bijës e fajëson pudrën e foshnjave të kompanisë “Johnson & Johnson” (J&J) dhe po ndjek një proces gjyqësor, të cilin Eroni e ka nisur para një dekade, me pretendimin se talku, mineral i përdorur në produkte të kujdesit personal si kozmetika dhe pudra e fëmijëve, i kompanisë shkakton sëmundje vdekjeprurëse, shkruan KOHA.

Gjyshja 71-vjeçare ka harxhuar kursimet duke u kujdesur për vajzat. Më 26 korrik, ajo dhe dhjetëra mijëra persona të tjerë që pretendojnë se talku i kompanisë shkakton sëmundje vdekjeprurëse, do të votojnë kundër përpjekjes së “J&J” për “manovrën e diskutueshme të falimentimit” që do ta kufizonte përgjegjësinë e kompanisë dhe do të krijonte një fond për t’i paguar viktimat, pa procedurë gjyqësore.

“Nuk e di sa gjatë mund të vazhdojë”, ka thënë Darlene. “Ndjej presionin se duhet ta votoj ‘po-në’”.
Gjigandi 350 miliardë dollarësh i kujdesit shëndetësor po përpiqet përsëri t’i japë fund procesit gjyqësor me anë të një falimentimi të ashtuquajtur “Texas two-step”. Manovra e përdorur përfshin shkarkimin e përgjegjësisë për talkun në një filial të sapokrijuar. Qëllimi i procedurës është që t’i detyrojë të gjithë ata që e kanë paditur kompaninë ose pretendojnë se talku është vdekjeprurës, drejt një zgjidhjeje – pa pasur nevojë që vetë “J&J” ta deklarojë falimentimin.

Por kompanisë i duhen votat e 75 për qind të pretenduesve para se të pranohet ujdia nga gjykatësi. “J&J” përballet me më shumë se 61 mijë paditës, por shifrat arrijnë deri në 100 mijë kur numërohen edhe pretenduesit që nuk kanë ushtruar padi, sipas Erik Haas, zëvendësdrejtor për çështje gjyqësore globale në “J&J”. Kompania vazhdon të thotë se produktet e saj me talk janë të sigurta dhe nuk shkaktojnë kancer.

Pudra e foshnjave me talk e “Johnson & Johnson” Foto: AP

Avokatët e disa paditësve, duke përfshirë atë të Evans, janë duke i shtyrë klientët për ta pranuar marrëveshjen. Avokati i saj, Jim Onder, duke i parë alternativat, e ka quajtur ofertën marrëveshje të mirë.

“Ndërsa asnjë shumë e parave nuk është mjaftueshëm për luftën e tmerrshme që kanë kaluar këto gra, kjo është mundësi për të marrë para dhe t’i shmangen viteve të tëra në procese gjyqësore”, ka thënë Onder.

Një koalicion i avokatëve të tjerë është duke vazhduar përpjekjet, duke thënë se manovra e falimentimit nuk duhet të jetë legalisht e lejueshme dhe se oferta 6.48 miliardë dollarëshe është e ulët.

Në një email të 21 qershorit, avokati kryesor i “J&J”, Jim Murdica, i ka akuzuar këta avokatë se e kanë kthyer këtë në “luftë gjyqësore”. Kompania pretendon se avokatët janë lakmitarë që kërkojnë të fitojnë qindra miliona dollarë nga kjo.

Beteja për vota e kësaj vere mund të ketë implikime të thella në fatin e manovrës së përdorur nga “J&J”, si strategji e mbrojtjes së korporatave të SHBA-së. “Texas two-step” e ka marrë emrin nga një ligj i Teksasit që e mundëson manovrën, duke e lejuar një kompani të rrezikuar ligjërisht të ndahet në dy firma të reja: njëra për ta marrë përgjegjësinë dhe për të kërkuar mbrojtje nga falimentimi, e tjetra për ta vazhduar me biznesin.

Kjo manovër kreative e ligjshme, të cilën “J&J” e ka ndërmarrë së pari në tetor të 2021-s, dikur ka premtuar se do ta revolucionarizonte mënyrën se si korporatat trajtojnë pretendimet për dëmshpërblim masiv, duke ofruar një mënyrë të thjeshtë për t’iu larguar kërcënimeve nga proceset gjyqësore. Por tani “J&J” është duke u përballur me një rezistencë të fortë dhe nuk kanë arritur ta arrijnë marrëveshjen për falimentim pas shumë vjetësh përpjekje.

“J&J” thotë se tani ka mbështetje “të jashtëzakonshme” nga avokatët e paditësve që kanë pranuar t’ua rekomandojnë marrëveshjen rreth 80 mijë personave, kryesisht me kancer të vezoreve, që kanë pretendime ndaj kompanisë e që ata i përfaqësojnë kolektivisht.

Andy Birchfield, nga firma ligjore “Beasley Allen” është duke udhëhequr rezistencën dhe duke shtyrë për një marrëveshje më të mirë. Ai shpreson të marrë së paku 25 mijë vota për ta bllokuar falimentimin.

Haas ka thënë se “fushata ani-votë e ‘Beasley Allen’, është përpjekja e fundit për t’i ndaluar paditësit të flasin për veten e tyre”. Sipas Haasit, marrëveshja e falimentimit u ofron paditësve kompensim më të drejtë sesa proceset gjyqësore, ku ai ka thënë se shumicën e rasteve nuk marrin asgjë.
Mosmarrëveshja kryesore në çështjen gjyqësore, që daton më shumë se 15 vjet më parë, është se klientët janë përballur me kancer, që sipas tyre ka ndodhur si pasojë e ekspozimit ndaj talkut me asbest të ndodhur në pudrën e foshnjave të “J&J”. Talku mund të përmbajë asbest, kancerogjen i njohur. Sipas “J&J”, talku i saj nuk përmban asbest.

“J&J” ka fituar shumicën e rasteve që kanë dalë në gjyq. Por humbjet përfshijnë një vendim të Missourit  për viktimat e kancerit të vezoreve, që u ka kushtuar 2.1 miliardë dollarë. Një paditëse me mesothelioma – kancer vdekjeprurës që sulmon shtresën e indit që i mbulon organet e brendshme – ka fituar 260 milionë dollarë nga një juri në Oregon në qershor. “J&J” është zotuar të apelojë.
Sipas këtij plani falimentimi, nëse ai do t’u mbijetonte sfidave ligjore, pagesat për rastet individuale do të përcaktoheshin nga administratorët e një fondi të krijuar për të paguar personat që kanë pretendime ndaj kompanisë. Sipas dokumenteve të planit të falimentimit të “J&J”, pagesa mesatare për një person që pretendon se kanceri i vezoreve i është shkaktuar nga pudra e kompanisë, do të sillej mes 75 mijë dhe 15 mijë dollarë.

Birchfieldi dhe aleatët e tij e kanë akuzuar kompaninë se po përpiqen “t’i mbushin kutitë e votave” duke arritur marrëveshje me avokatët e paditësve që vuajnë nga sëmundje që nuk kanë lidhje shkencore me talk. Ata pretendojnë se “J&J” po i paguan, në këmbim të votave. Birchfield ka thënë se nuk ka plane për t’i vazhduar në gjykata rastet që nuk mbështesin diagnozën e kancerit të vezoreve dhe se zyra e tij po kërkon të dhëna mjekësore për disa raste që përfaqësojnë.

Dy hapat e parë të falimentimit të “J&J” në New Jersey, ku ndodhet selia e kompanisë, janë refuzuar për shkak se i mungonin “problemet financiare” të nevojshme për mbrojtje nga falimentimi. Prandaj, plani i “J&J” është t’i dërgojë dokumentet në Teksas, meqë ata vlerësojnë se atje mund të ketë opinion tjetër për këtë.

Pretendimet “mashtruese”?

“J&J” beson se do ta marrë mbështetjen e nevojshme nga paditësit. Kompania ka larguar disa prej tyre me marrëveshje individuale me disa që e kanë ndihmuar më herët në planet e falimentimit.
Në maj, “J&J-a ka arritur marrëveshje me gati të gjithë pretenduesit me mesothelioma. Disa burime thonë se shuma që u ka dhënë atyre kompania ka qenë rreth 2 miliardë dollarë. Në qershor, “J&J” ka pranuar të paguajë së paku 700 milionë dollarë ndaj shteteve amerikane që pretendojnë se kompania ka mashtruar konsumatorët për sigurinë e produkteve të talkut.

Shumica që kanë mbetur në çështje përfshijnë peronat me kancer të vezoreve. Pretendimet nga personat me këtë sëmundje si dhe mesothelioma janë konsideruar si çështjet më të forta nga avokatët për shkak të provës shkencore të lidhjes së sëmundjeve me talkun.

Birchfieldi pretendon se “J&J” po përdor mijëra pretendime “mashtruese” të lidhura me sëmundje të tjera – duke përfshirë kancerin e qafës së mitrës, vagjinës dhe mitrës – si strategji për t’i mposhtur votat e paditësve me kancer të vezoreve. Numri i këtyre padive që nuk kanë lidhje me talkun nuk dihet.

“J&J” ka rekrutuar një avokat të paditësve, për ta arritur marrëveshjen për rreth 9000 klientët e tij me kancer të mitrës. Ky avokat ka qenë Onderi, që përfaqëson rreth 21 mijë klientë, duke i përfshirë edhe ata me kancer të vezoreve.

Ky është grup votuesish potencialisht vendimtar për “J&J”. Haasi ka thënë se kompania përballet me 85,000 deri në 100,000 kërkesa gjithsej, “në varësi të procesit përfundimtar që e kalojmë në verifikimin e këtyre pretendimeve”.

“’J&J’ është duke rekrutuar për ta rritur numrin e këtyre pretendimeve”, thotë Birchfield.

“Kujdes përdoruesit e pluhurit talk!” thuhet në një reklamë në YouTube, që është paguar nga një filial i ‘J&J’. “A keni pasur kancer ovarian apo gjinekologjik?” Marrëveshja e ‘J&J’ “do t’i paguajë ata që besojnë se janë sëmurë nga përdorimi i produkteve të talkut”, vazhdon reklama. “Ju keni kohë deri më 26 korrik 2024, për të votuar që ta pranoni ose refuzoni planin”.

Reklama të dërgon në një uebfaqe që thotë se plani i “J&J” e mbulon “çdo pretendim të lidhur me talk”, që përfshin “lëndim trupor, sëmundje, shqetësim emocional, frikë nga kanceri, monitorim mjekësor ose probleme të tjera personale”. Nuk ka garanci që të gjitha pretendimet do të paguhen, thotë faqja.

“Reklama është pjesë e një përpjekjeje të nevojshme, kur të kërkohen votat për planin e falimentimit për t’i paralajmëruar pretenduesit e mundshëm”, ka thënë Haas.

Birchfieldi e kundërshton kërkesën e “J&J” për pretendimet jashtë atyre me kancer të vezoreve në fushatë, e cila përfshin televizionin, radion, gazetat dhe mediat online. Qëllimi i përpjekjeve të tilla është të manipulohet vota, argumenton Birchfield.

“Lakmi e pastër”

Avokatët e “J&J” kanë nisur kundërsulme ndaj avokatëve të paditësve, sidomos Brichfieldit. Kompania pretendon se Birchfieldi dhe firma e tij janë duke ndikuar mbi interesat e klientëve për t’u paguar më shumë.

Avokatët e paditësve zakonisht marrin një të tretën e parave të fituara në gjyq, edhe pse kjo ndryshon.

Brichfieldi kërkon 40 për qind nga një zgjidhje ose gjykim. Por ai dhe avokatët e tjerë gjithashtu synojnë të mbledhin kompensim shtesë për punën e tyre në një komitet drejtues që e mbikëqyr shumicën e rasteve gjyqësore me të cilat përballet “J&J”. Tarifat shtesë dhe rimbursimet e shpenzimeve mund të arrijnë midis 8 dhe 12% të çdo përfundimi të rastit, sipas Birchfieldit dhe një dosjeje gjyqësore.

Haasi i quan këto tarifa “taksa” dhe “fitime të papritura”, të cilat Birchfieldi nuk do të mund t’i merrte nëse do të ndodhte falimentimi, duke i akuzuar ata për “lakmi të pastër”. Birchfieldi vazhdon të thotë se e vendos kompensimin e klientëve para të vetit.

Në një kundërpërgjigje të veçantë, “J&J” i ka kërkuar gjykatësit federal që i mbikëqyr më shumë se 57 mijë veprime ligjore për talk, ta dëbojë Birchfieldin nga procesi gjyqësor.

“Qesharake”

Elizabeth Onekalit, 44-vjeçare, është në mesin e klientëve të firmës së Birchfieldit që e refuzon propozimin e “J&J”.

“Duket si shumë e madhe e parave”, ka thënë ajo. “Por ka shumë njerëz që janë prekur nga kjo. Thjesht nuk është adekuate”.

Në moshën 28-vjeçare, onkologu e ka diagnostikuar me fazë të katërt të kancerit të vezoreve në spitalin “Denver” në vitin 2008, ka treguar ajo. Onekalit fajëson pudrën e foshnjave.

“Sinqerisht, duket si shaka. Është thjesht qesharake. Ata nuk duan të kujdesen për njerëzit që i lëndojnë”.

Sëmundja i ishte shpërndarë në stomak, mushkëri dhe nyje limfatike. Asaj i janë hequr vezoret dhe i është nënshtruar kimioterapisë. Tani ajo është duke luftuar për ta ngjizur një fëmijë përmes fertilizimit të asistuar mjekësor (in vitro). Ajo nuk e kupton se si “J&J” vazhdon të paraqesë falimentime, për ta vonuar kompensimin e viktimave dhe për t’i detyruar ato në një zgjidhje të vetme.

Haasi ka thënë se ndien empati me Onekalit dhe të gjithë pretenduesit me kancer, por ka mohuar se kompania e ka shkaktuar atë.

Gjyshja Evans, është e zemëruar nga manovrat e vazhdueshme të falimentimit të “J&J”. Por ajo ka thënë se mund ta mbështesë zgjidhjen, sepse është në dijeni për betejën e gjatë ligjore dhe shqetësohet për paditësit e tjerë që u nevojiten paratë.

Gjithsesi, Evans ka thënë, se pagesa e propozuar nuk është e drejtë. Sipas saj, pudra e foshnjave ka qenë element kryesor në shtëpinë e tyre. Ajo është rritur duke e përdorur për vete dhe fëmijët e saj. “I kam mbuluar në të”, ka thënë ajo.

Ajo mendon se si vajza e saj ka humbur kaq shumë momente në jetën e fëmijëve të saj.

“Duhet ta pyesni veten: Cili është çmimi për këtë?”

spot_img

Të fundit

Anulimi i konkursit për gradimin e policëve, Sveçla: Nuk pati keqpërdorime, vetëm disa lëshime

Policia e Kosovës njoftoi ditë më parë se ka...

Biden premton masa mbrojtëse për imigrantët, Trump dëbime masive

Kandidatët presidencialë në Shtetet e Bashkuara Joe Biden dhe...

Veliaj takohet me kampionët olimpikë: Krenarë për punën dhe mesazhin që po i japin rinisë shqiptare

Kreu i Tiranës, Erion Veliaj është takuar me kampionët...

Anulimi i konkursit për gradimin e policëve, Sveçla: Nuk pati keqpërdorime, vetëm disa lëshime

Policia e Kosovës njoftoi ditë më parë se ka marrë vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter, të shpallur më 12...

Biden premton masa mbrojtëse për imigrantët, Trump dëbime masive

Kandidatët presidencialë në Shtetet e Bashkuara Joe Biden dhe Donald Trump kanë pikëpamje të ndryshme mbi çështjen e imigracionit. Dallimet e tyre mbi këtë...

Lojtarët e Spanjës po kërkojnë ‘hakmarrje’ ndaj yllit anglez për sjelljen e tij arrogante që shkaktoi përleshje masive

Një kontigjent i lojtarëve të Spanjës nuk e kanë harruar sjelljen e njërit prej yjeve të Anglisë në një ndeshje të mëparshme ndaj tyre. ‘Tre...