Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kurti takoi artistët shqiptarë në New York: Diaspora është pjesë e pandashme e Kosovës

Kurti takoi artistët shqiptarë në New York: Diaspora është pjesë e pandashme e Kosovës

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi artistë e profesionistë të rinj të diasporës tonë që jetojnë e veprojnë në New York.

Në këtë takim e bashkëbisedim të përzemërt, që u mbajt në hapësirat ku po shfaqet ekspozita e artistit nga Kosova, Petrit Halilaj, kryeministri Kurti duke i cilësuar ata si ambasadorë që shfaqin para botës se kush janë shqiptarët e çka ofron Republika e Kosovës, theksoi rolin kyç të diasporës në kultivimin e një tradite të pasur kulturore, arritjet e të cilëve na bëjnë krenarë dhe suksesi i tyre shërben si frymëzim për brezat e përkushtuar në të gjitha sferat qoftë teknologji, arsim, biznes e art.

Për Qeverinë, diaspora është pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës dhe shoqërisë sonë, u shpreh kryeministri Kurti.

“Kësisoj, puna e artistëve e profesionistëve të rinj në mbarë botën e veçanërisht në New York, jo vetëm që forcon lidhjet kulturore dhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por gjithashtu luan një rol vendimtar në avancimin e reputacionit të Kosovës”

“Në bashkëbisedim e sipër, kryeministri Kurti i njoftoi të pranishmit për angazhimin e vazhdueshëm për integrimin e kulturës në fusha të tjera të politikbërjes, duke përfshirë edukimin, shëndetësinë dhe zhvillimin ekonomik. Ai tha se kemi rininë me një potencial të jashtëzakonshëm krijues dhe Qeveria jonë do vazhdojë përpjekjet për krijimin e një ambienti të favorshëm krijues, ashtu që Kosova jonë të jetë vend i mundësive e zhvillimit të talentit, si promovues më i mirë i vendit në botë”, thuhet në njoftimin e bërë për media.

Tutje, në komunikatë theksohet se “vetëm këtë vit Qeveria ofroi mbështetjen më të lartë financiarë për kulturën prej 8 milionë euro, duke zëvendësuar skemat e mbështetjes, që ju ngjanin skemave sociale, në mbështetje të planifikuar e të kategorizuar e cila synon qëndrueshmërinë dhe pavarësinë ekonomike të organizatave të pavarura kulturore të Kosovës”.

Me falënderime të posaçme për kontributin dhe pasionin në fushat e tyre profesionale, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe tha se Kosova gjithmonë i mirëpret.