Blog Post

Arbëria TV > Featured > Katër vite pa njohje, nën optikën e pushtetit, opozitës dhe analistëve

Katër vite pa njohje, nën optikën e pushtetit, opozitës dhe analistëve

Kanë kaluar që katër vjet që Kosova nuk ka arritur ta sigurojë asnjë njohje ndërkombëtare. E fundit në këtë drejtim ishe ajo e siguruar nga Izraeli me rastin e dakordimit të Marrëveshjes së Uashingtonit në Shtëpi të Bardhë, kur ish-kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandër Vuciq ishin pajtuar në prani të ish-presidentit amerikan Donald Trump për normalizimin ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Kështu, Kosova është gjendur një status quo, sa i përket aspektit dimensionit ndërkombëtar të shtetësisë. Shto edhe këtu faktin se është bllokuar edhe zbatimi i Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksi i Ohrit, që po ashtu konsiderohet si kusht i agjendës integruese euro-atlantike. Në këtë kontekst, ky ngërç ka ngritur dilema se ky stagnim a është pasojë e dështimit të diplomacisë së Kosovës, të frustrimit të aleatëve më sjelljet e Qeverisë, sepse jo pak ditë më parë, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se SHBA-të e kanë humbur motivin për të lobuar për shtetin e Kosovës, apo edhe në këtë mënyrë kjo bllokadë i zbulon kufijtë e pushtetit të komunitetit euro-atlantik, sepse ky i fundit nuk ka leva për ndikuar në shtete si Kina dhe Rusia si dhe vendet e tyre stalite të cilat shtetin e Kosovës e shohin si produkt të rendit ndërkombëtar të dizajnuar nga SHBA-të. Prandaj refuzimi i tyre për njohur Ksoovën është pjesë e ambicive të tyre për revizionim gjeopolitik të botës.

Me këtë rast TV Arbëria ka bashkëbiseduar me analistë, përfaqësues të pushtetit dhe opozitës mbi shkaqet e pamundësisë së finalizimit të “shtetësisë së kontestuar ndërkombëtare”.

Për deputetin e partisë në pushtet, Agon Batusha, nuk mund të bëhet fjalë për dështim sa i përket kësaj teme. Sipas tij, bota është fokusuar me invazionin rus ne Ukraine dhe parandalimin e konflikteve te reja. Kjo ka bere qe fokusi te mos jete tek avancimi i Kosoves. “Por, Kosova ka shenuar suksese ne vazhdimesi ne disa fusha ne arenen nderkombetare, konform strategjise qe eshte duke ndjekur. Gjithsesi rol te rendesishem luajn rrethnat nderkombetare, pozicionimi i shteteve dhe synimet e organizatave nderkombetare”, ka thënë Batusha

I një mendimi tjetër është deputet, Fatmir Humolli. Ai ka pohuar për TV Arbëria, se “shpallja e pavarësisë së Kosovës është rezultat i presionit qytetarë dhe vëllimit të brendshëm të popullit që ishte në prag të shpërthimit kundër ndërkombëtarëve, ndërkombëtarët e kanë pa dhe e kanë vërejt këtë gjendje për t’i ik këtij shpërthimi kanë dhënë dritën e gjelbërt klasës politike për ta shpallur pavarësinë në Shkurt dhe nuk e kanë vonuar që të mos vijë pranvera sepse në pranverë ka pas me shpërthy në përvjetorin e protestave të 2004 pavarësia ka qenë kompromis ndërkombëtar dhe vendor në mes asaj me u bashku me Republikën e Shqipërisë. E drejta e shqiptarëve dhe hegjemonisë Serbe që Kosova të jetë padrejtësisht pjesë e Serbisë”. Mirëpo, ai konstaton se “në momentin që klasa politike është i lidhur me popullin dhe energjitë popullore nuk i amortizon po i drejtojnë, atëherë Serbia do na lutë me pranu Serbinë dhe do bëjnë presion në Kombet e Bashkuara që Kosova të njihet kështu e gjymtuar si është territorialisht Kosova duhet me pa drejt pozicionin e vet”.

Kritik ndaj këtij stagnimi janë shprehur edhe deputetet e opozitës. Në dallim nga ata të pushtetit që këtë realitet e lidhin më shumë me rrethanat ndërkombëtare, këtë fundit fajin ja mveshin pushtetit. Xhavit Haliti ka pohuar, se“Përgjegjësitë kryesore bien, mbi institucionet e Kosovës, ato janë gabime dhe papërgjegjësi të Qeverisë dhe Kryeministrit të Kosovës. Arsyeja kryesore është papjekuria politike, ndërrimi i kursit politik, nga stafeta e marrur për bashkëpunim nga qeveritë e kaluara, mosbashkëpunimi me perëndimorët në kuptimin pozitiv dhe të sinqertë, për të gjithë hapat e arritur së bashku”, tha Haliti. Ky stagnim është përgjegjësi e qeverisë së Kosovës, e cila akoma se ka kuptuar se si funksionon bota e shekullit njëzet e një. Kosova s’ka diplomaci me influencë as me kompetencë të theksuar në qarqet ndërkombëtare. Haliti vlerëson se gjendjen që e kemi sot e ka sjellë politika e kopështit të Qeverisë Kurti.

“Lufta e vazhdueshme kundër komunitetit Euro-Atlantik është shumë e gabueshme dhe e papranueshme nga të paktën 90% e popullit të Kosovës. Shumicën e njohjeve i kemi dhuratë nga ata që na ndihmuan të fitojmë lirinë e pavarësinë. Kosova nëse fillon zbatimin e obligimeve që kemi, do na njohin edhe pesë shtetet e BE – s që s’na kan njohur, do pranohet në institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe disa nga vendet Evropiane do përdorin influencat e tyre në vendet e Amerikes Latine, të Azisë e Afrikës. Mendoj që gjendjen që sot e kemi e ka sjellë politika e Kopështit të Qeverisë Kurti”, përfundoi Hailiti.

Për Hisen Berishën e PDK-së, dështimi për të siguruar njohje të reja është në një masë përgjegjësi e diplomacisë së Kosovës, por nuk mund të shihet vetëm si një problem i brendshëm, pasi sipas tij ky proces kërkon koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. “Dështimi për të siguruar njohje të reja është në një masë përgjegjësi e diplomacisë kosovare, por nuk mund të shihet vetëm si një problem i brendshëm. Ky proces kërkon koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian”, është shprehur Berisha.

Ndërkaq për ish-kryetarin e Komunës së Gjilanit dhe anëtarin e Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, Kosova jo vetëm që nuk ka siguruar njohje të reja në këtë mandat qeverisës, por rrezikon të përjashtohet nga institucionet rajonale dhe ndërkombëtare.

“Ka shumë arsye, por mbi të gjitha është mungesa e partneritetit me SHBA, BE dhe miqtë e mëdhenj. Nën dy, moskoordinimi e mbi të gjitha mungesa e politikave të drejta në Kosovë. Njohja e fundit ka ardhur nga takimi Hoti-Trump, që rezultoi me njohjen e Izraelit dhe këtu ka përfunduar. Për më keq, Kosova po rrezikon të përjashtohet nga institucionet rajonale, ndërkombëtare dhe natyrisht, dështimi për anëtarësim në Këshill të Evropës, tani pritja që të suspendohemi nga CEFTA dhe mekanizmi i Berlinit, janë çështje që tregojnë mendësinë e kësaj qeverisjeje”, është shprehur Haziri. Sipas vlerësimit të tij, diplomacia ka dështuar, derisa shtoi se Kosova ka mirëmbajtur disa raporte përmes presidentes, por pjesa tjetër është imazhi i keq që ia kanë sjell Kosovës. “Diplomacia ka dështuar, sidomos në pjesën e ekzekutivit sepse rol në politikën e jashtme ka kryeministri, përmes Ministrisë së Jashtme, por ka edhe presidentja. Aktive ka mund të jetë shumë diplomacia parlamentare përmes Kuvendit dhe mekanizmat tjerë të diplomacisë. Të gjitha kanë dështuar. Kosova ka mirëmbajtur disa raporte përmes presidentes, por pjesa tjetër është imazhi i keq që ia kanë sjell Kosovës”Ai ka kujtuar, se Serbia ka punuar për të tërhequr njohjet e Kosovës, teksa ai vlerëson se Serbia nuk ka më nevojë të parandalojnë asgjë, sepse punën e tyre po e bëjnë Kurti dhe ministrat e tij.

“Kur po flasim për mosnjohje, Serbia ka punuar shumë në ofanzivë diplomatike në disa shtete të oqeanit pacifik dhe nëpër skaje të botës për të tërhequr njohjet e Kosovës. Tani ajo nuk ka nevojë ta bëjë këtë sepse marrëveshja e Uashingtonit dhe marrëveshja e Ohrit e parandalojnë Serbinë në këtë aspekt. Mirëpo, nuk ka nevojë asgjë të parandalojnë sepse punën e tyre po e bëjnë Kurti dhe ministrat e tij” Ndërkohë, sa përket, 5 shteteve mosnjohëse, kjo qeveri ka dështuar totalisht që Borrellin ta përkthejë në partner siç e ka pasur presidenti Rugova Solanën, sepse janë nga i njëjti shtet, nga e njëjta familje politike dhe nga e njëjta politikë e jashtme. Ka dështuar të punojë me z. Lajcak në formatin e z. Eduard Kukan e plot dështime frapante”, thotë Haziri.

Për këtë temë për TV Arbëria është deklaruar edhe analisti politik, Visar Xani. Ai ka pohuar, se njëra ndër arsyet se ngecjeve në këtë aspekt, është mungesa e kapaciteteve të Kosovës në këtë drejtim. Për “mungesën e njohjeve ka disa faktorë të cilët kanë ndikuar direkt, në këtë aspekt, e para është mungesa e kapacitetit të shtetit të Kosovës dhe diplomacisë për të lobuar dhe për të njohur paavrësinë e Kosovës, madje është bërë shumë pak për të mos thënë hiç, dhe duhet një angazhim, një strategji e qartë dhe investim më i madh në aspektin e lobimit, një lobim që jep efekt, dhe jo një lobim që shpenzon para, dhe rezultati është pothuajse zero”, ka thënë analisti.

“Në anën tjetër edhe faktori ndërkombëtar me gjasë i ka dhënë hapësirë dialogut dhe konsideron se me procesin e dialogut mund të zhbllokojë disa njohje duke e bërë shtetin e Kosovës funksional duke e anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare”, ka potencuar tutje ai. Ndër të tjera analisti thekson se në temën e njohjeve të reja, Kosova ka pasur një rol minimal, e që sipas tij të gjitha meritat i takojnë SHBA-ve, Britanisë dhe vendeve të tjera që kontribuan në këtë aspekt. “Gjithsesi njohjet që i kemi marrë deri më tash nuk ka qenë meritë, mbase Kosova ka pasur një ndikim minimal, i gjithë falënderimi duhet t’i shkojë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera me ndikim që kanë arritur të na sigurojnë njohje dhe të na njohin që në shpalljen e pavarësisë së parë”, ka thënë Xani./tvarbëria/