Blog Post

Arbëria TV > Bota > Blinken: Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dënojnë luftën e Rusisë në Ukrainë

Blinken: Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dënojnë luftën e Rusisë në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten se “shumica dërrmuese e vendeve” anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara këtë javë “dënuan luftën brutale pushtuese të Rusisë” kundër Ukrainës dhe bëri thirrje “për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, të bazuar në Kartën e OKB-së.

”E rëndësishme për këtë paqe të qëndrueshme, tha zoti Blinken, është “trysnia mbi Iranin, Korenë e Veriut dhe Kinën, e cila është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që të mos e furnizojnë presidentin rus me armë, artileri, makineri dhe pajisje të tjera ushtarake, që ushtria ruse po përdor për të shkatërruar shtëpitë, rrjetin energjetik dhe portet e Ukrainës.”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku është takuar me Presidentin Joe Biden dhe kandidatët presidencialë Kamala Harris dhe Donald Trump, tha në fjalimin e tij të përditshëm të premten se “plani i Ukrainës për fitore i është paraqitur Amerikës”.

Udhëheqësi ukrainas tha se pikat kryesore të diskutuara përfshinin “përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, ndihmat ushtarake, sanksionet kundër Rusisë dhe veprime të tjera për bllokimin e pasurive ruse”.

“Është e rëndësishme për Ukrainën që Amerika të ketë një komunikim të drejtpërdrejtë me Ukrainën dhe ta kuptojë atë. Dhe absolutisht Amerika e kupton Ukrainën”, tha zoti Zelenskyy. “Kjo luftë e Rusisë duhet të ndalet me drejtësi, në mënyrë që asnjë agresor të mos bëjë kurrë atë që po bën Rusia.

”Zyrtarët rajonalë në Ukrainë njoftuan se tetë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmet ruse midis të enjtes dhe të premtes.

Forcat ajrore ukrainase thanë se kanë rrëzuar 24 nga 32 dronët “Shahed” të prodhuar nga Irani, që Rusia i lëshoi në drejtim të vendit të premten.

Në deklaratën e Forcave Ajrore të Ukrainës thuhet se Rusia hodhi një raketë balistike “Iskander-M/KN-23” të prodhuar nga Koreja e Veriut nga Krimea e pushtuar dhe dy raketa “Kh-22” nga bombarduesit “Tu-22M3” nga Deti i Zi, të cilat u rrëzuan nga mbrojtja ajrore e Kievit./VOA