Shkruan: Faton Fetahu
Urime Dita e Kushtetutës!
Të nderuar miq,
Sot është festë zyrtare sepse është Dita e Kushtetutës. Shënohet 17-të vjetori i miratimit të saj nga Kuvendi i Republikës tonë.
Shënimin e përvjetorit të Kushtetutës si zakonisht e karakterizojnë fjalët e bukura – sidomos të politikanëve – për rëndësinë dhe peshën e saj historike, politike dhe juridike, për vlerat që mbron, për nivelin e admirueshëm të standardeve të të drejtave të njeriut që promovon, etj, etj.
Dhe në fakt, të gjitha këto atribute janë të vërteta siç janë të vërteta edhe shkeljet që të njëjtës i’a kanë bërë, veçanërisht klasa politike.
Fatkeqësisht, edhe disa politikanë që fati historik nuk i deshi në orët vendimtare të historisë (siç ishte edhe 9 prilli 2008), referimin në kushtetutë e kanë të shpeshtë dhe atë zakonisht kur i referohen pushtetit të tyre. Këtë, zatën e bëjnë ngase nuk e kuptojnë thelbin e kësaj kushtetute, që është “kufizimi” dhe jo “pushteti”.
Ata madje, kushtetutën e shohin edhe si dekor të bukur në zyret e pushtetit pa e pasur ndjesinë e duhur për detyrimin ndaj zbatimit të saj.
Dhe shembulli më tipik i shpërfilljes së patolerueshme të këtij rendi kushtetues, janë shkeljet e konstatuara me aktgjykime nga Gjykata Kushtetuese, veçanërisht në këto pesë vitet e fundit.
Si avokat në këto beteja kushtetuese (afër 30 sosh), kam pasur privilegjin të ngre suksesshëm raste, 1/3 e të cilave kanë marrë tashmë epilog nga kjo gjykatë dhe përmes tyre janë ruajtur dhe mbrojtur:
I) Të drejtat dhe liritë kushtetuese të njeriut si: e drejta e pronës, e drejta e punës, liria e lëvizjes, e drejta e privatësisë, liria e tubimit);
II) Garancitë e ndarjes së pushteteve, kontrollit dhe balancit mes tyre, duke përfshirë edhe raste të mbrojtes së pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese;
III) Vlerat e rendit kushtetues si demokracia, barazia, mosdiskriminimi, ekonomia e tregut dhe sundimi i ligjit;
Pra, shkeljet e fushave të lartcekura kushtetuese janë konfirmuar vetëm në 1/3 e rasteve të vendosura ndërsa edhe 20 raste të tjera (KO) janë në shqyrtim.
Nga bilanci i deritanishëm, është verifikuar se asnjëri rast nuk është ngritur si rezultat i një akti që kishte për synim zvogëlimim ose reduktimin e kompetencave të pushtetit që e ka propozuar dhe/ose miratuar të njëjtin, mirëpo në të gjitha rastet këto akte të kontestuara synonin zakonisht rritjen ose zgjerimin e pushtetit ekzekutiv në kurriz të pushteteve të tjera të pavarura ose në dëm të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Pra, kushtetutën e duan vetëm si pushtet dhe jo si kufizim!
Për rrjedhojë, në këto pesë vite, niveli i shkeljeve kushtetuese është i pashembullt, siç është i pashembullt edhe niveli dhe mënyra e shmangies nga përgjegjësia për shkaktimin e tyre.
Por gjithsesi, kjo kushtetutë është e fortë dhe do ti përballoj stuhitë e lëndimet e tilla, dhe do të qëndroj e fuqishme jo falë konsideratave dhe emancipimit të shpejt të klasës politike por kryesisht për faktin që është ngritur mbi vlera demokratike dhe perëndimore që prevalojnë para çdo lloj kaste a pushteti autokratësh.
Betejën për zbatimin dhe mbrojten e Kushtetutës do ta vazhdojmë! Kjo detyrë para se gjithash është qytetare dhe na takon çdo ditë të gjithëve.
URIME!