Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ambasadori britanik në KS: Serbia të japë llogari për Banjskën

Ambasadori britanik në KS: Serbia të japë llogari për Banjskën

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara tha se, si përkrahës i shtetësisë së Kosovës, mirëpresin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kenia, teksa i inkurajoi të gjitha shtetet që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, ta bëjnë sa më parë.

“Si përkrahëse e shtetësisë së Kosovës, e mirëpresim njohjen së fundmi nga Kenia. Inkurajojmë të gjithë ata që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë sa më shpejt. Derisa raporti i Sekretarit të Përgjithshëm thekson shumë faktin se ka presion mbi serbët në Kosovë, janë për t’u vlerësuar përpjekjet e suksesshme të Kosovës për të rekrutuar policë nga komuniteti serb. Shprehim keqardhje që gjyqtarët dhe prokurorët nga komunitetet joshumicë nuk kanë kërkuar të rikthehen në institucionet e Kosovës”, tha përfaqësuesi britanik.

Më tej, ai tha se inkurajojnë Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog për të arritur një marrëveshje normalizuese dhe ligjërisht obliguese.

“Mirëpresim pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës në zgjedhjet paqësore komunale në periudhën e ardhshme dhe inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me Sorensenin për të arritur një marrëveshje normalizuese dhe ligjërisht obliguese, duke zbatuar plotësisht edhe marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit”, shtoi ai.

Më tej, përfaqësuesi i Britanisë i kërkoi Serbisë që të sjellë para drejtësisë autorët e sulmeve ndaj KFOR-it, atij në Banjskë dhe të bashkëpunojë me Kosovën për t’i identifikuar autorët e sulmit në kanalin Ibër-Lepenc.

“I kërkojmë Serbisë që të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për sulmet ndaj KFOR-it dhe sulmin në Banjskë, si dhe të bashkëpunojë për të hetuar dhe identifikuar ata që kanë kryer sulmin në Ibër-Lepenc”, tha ai.

“Duke marrë parasysh kushtet në terren që nuk janë aspak të ngjashme me ato të vitit 1999, kërkojmë rishikimin e rolit të UNMIK-ut për të siguruar që të vazhdojë përkrahja për stabilitet dhe siguri në Kosovë, por në mënyrë që të reflektojë realitetin e vitit 2025”, përfundoi ai.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Rusisë e akuzoi Kosovën për “vazhdimin e politikës së saj drejt dëbimit të banorëve serbë”, pas vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të ushtrojë ndikim mbi Prishtinën, duke theksuar se ndërmjetësimi i BE-së ka dështuar plotësisht në dialog.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian u bëri sërish thirrje Kosovës dhe Serbisë që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“BE-ja e mirëpret faktin që Kosova dhe Serbia e ritheksuan përkushtimin e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve, si dhe zotimin e tyre për angazhim konstruktiv në këtë proces për të ecur përpara sa më shpejt”, tha ai.

Ai shtoi se nga Kosova pritet themelimi i Asociacionit, ndërsa nga Serbia njohja e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.