Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > 11 korriku shpallet ditë e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë

11 korriku shpallet ditë e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë

Qeveria miratoi shpalljen e 11 korrikut si ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë, bazuar në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri Albin Kurti, paraprakisht kujtoi se pak ditë para përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë parakaluan në një paradë ceremoniale nëpër qytetin veriperëndimor boshnjak, Prijedor, pa pëlqimin paraprak të shtetit të Bosnjë e Hercegovinës.

“Fundjavën që e lamë pas, pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë, kadetë e veteranë të Akademisë Ushtarake në Beograd parakaluan në një paradë në Prijedor pa leje e pa pëlqim të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, pra vetëm katër ditë para shënimit të përvjetorit të masakrës së Srebrenicës”, tha Kurti.

Zëvendëskryeministrja nga komuniteti boshnjak, Emilia Rexhepi, e paraqiti propozim-vendimin në mbledhjen e Qeverisë. Për të, disa fjalë i pati ministri për Komunitete dhe Kthim nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.

Rashiq tha se ai ishte “krim i tmerrshëm”, por theksoi se “me të drejtën ndërkombëtare, përgjegjësia e këtij gjenocidi është individuale dhe nuk mund t’i bashkëngjitet asnjë populli”.

Kryerësit e gjenocidit, ai tha se “duhet të japin përgjegjësi”, duke përsëritur: “Në asnjë moment nuk duhet të konsiderohet një popull si përgjegjës”.

Rexhepi e mori fjalën për replikë.

“Si njeri të cilin e njoh qe shumë vjet dhe si person që nuk e pranon asnjë gjenocid ndaj asnjë populli, është shumë e rëndësishme që të votoni sot”, tha ajo.

Në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë.